Nesër vizita e autoriteteve italiane ne Kosovë e Serbi. Italia ndërmjetëson në stabilitetin mes dy vendeve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën ditën e nesërme (22 nëntor 2022).

Ata do të zhvillojnë takime me presidentët e Republikës dhe kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës si dhe me homologët e tyre.

“Duke iu drejtuar ndjenjës së përgjegjësisë së palëve, Italia synon t'i inkurajojë ato të intensifikojnë dialogun, për të kapërcyer tensionet e fundit mes dy vendeve, si dhe për t'i dhënë shtysë perspektivës së tyre evropiane.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.  

Gjithashtu bëhet me dije se "stabiliteti i Ballkanit është një objektiv prioritar për Italinë, i cili gjithmonë ka punuar për sigurinë dhe paqen e rajonit, edhe përmes pjesëmarrjes në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe në misionin evropian EULEX".

Në Prishtinë, dy ministrat do të vizitojnë KFOR-in, të komanduar nga gjenerali Ristuccia.

Kontigjenti italian, i vendosur në zona të ndryshme të vendit, është më i madhi i misionit ndërkombëtar me 750 njësi.