E konfirmon dhe Borrell: Nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti nuk pranoi propozimin

Albin Kurti refuzon propozimin e Bashkimit Europian për targat, duke e cilësuar atë të papranueshëm. Borrell tha se qëndrimi i palëa kosovare rrezikon sigurinë e brishtë, ndërsa bëri me dije se do të informojë shtetet anëtare të Unionit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për çështjen e targave.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, bëri përgjegjëse palën kosovare  për dështimin. 

Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.

"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen. Një gjë e tillë krijon vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë. Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiç e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi".

Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë t'i pezullojë fazat e mëtejshme të planit për targat, ndërsa nga Serbia kërkoi  pezullimin e lëshimit te targave të reja që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.

"Unë u kërkoj të dy palëve t'i zbatojnë këto kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave".

Borrell bëri me dije se do  të informojë shtetet anëtare të BE-së, partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar duke kritikuar Kosovën më tepër.

Por Kryeministri Kurti tha se propozimi i BE-së është i papranueshëm nëse nuk shoqërohet me dakordësinë për marrëveshje finale në normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Ndërsa Vuçiç tha pas bisedimeve të së hënës, se pala serbe do t'i respektojë "këshillat dhe kërkesat" e kryediplomatit evropian Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.