Kosova shtyn për 48 orë shqiptimin e gjobave për targat, ia kërkoi SHBA
Pas disa refuzimeve, Albin Kurti ka zgjedhur t’i besojë vetëm Shteteve të Bashkuara, kur vjen puna te ndërkombëtarët. Pasi refuzoi propozimin e Bashkimit Evropian, Kurti i është bindur kërkesës së Ambasadës Amerikane për shtyrjen e gjobave për shoferët serbë, që qarkullojnë me targa ilegale.
Albin Kurti është detyruar të shtyjë vendimin për vënien e gjobave për targat me 48 orë në kuadër të së ashtuquajturës, faza e dytë për riregjistrimin e automjeteve në sistemin RKS.
Sipas fazës së dytë, shoferët serbë në komunat minoritare do të gjobiteshin me 150 euro, nëse qarkullonin me targa ilegale të lëshuara në Serbi.
Kërkesën për shtyrje e bëri gjatë mesnatës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Sipas një deklarate, SHBA-të i kërkuan Kosovës që të shtynte vendimin me qëllim që zyrtarët amerikanë dhe evropianë të angazhohen, për të gjetur një zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit.
Si përgjigje ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan, zoti Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në, për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, nuk arritën në një marrëveshje të hënën pas disa orësh negociata.
Bashkimi Evropian, Departamenti i Shtetit, Mbretëria e Bashkuar dhe Aleanca e NATO-s shprehën zhgënjim, që palët nuk arritën një marrëveshje.
Krye-diplomati i BE-së, Joseph Borrell e hodhi përgjegjësinë te Prishtina për mosarritjen e marrëveshjes, të cilës i kërkoi shtyrjen e vendimit për gjobitjen e shoferëve serbë, që qarkullojnë me targa të paligjshme.
Kurti tha se propozimi i Brukselit ishte i papranueshëm duke akuzuar BE-në se po heq dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve, mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi i Borrellit e përgënjeshtroi komentin e zotit Kurti, se Brukseli kishte hequr dorë nga marrëveshja finale, për normalizim marrëdhëniesh.