"Qytetarët serb të përmbahen nga aktet e dhunës", Haradiaj thirrje Kurtit: Pezullo zbatimin e vendimit për targat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradniaj, i ka bërë thirrje kryeministrit, Albin Kurti, që të pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

Në rrjetin e tij social Facebook Haradniaj fton të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd.

Postimi i plotë:

I bëj thirrje Kryeministrit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situates së krijuar.

Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.

I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd.

Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!