“Vdiq Çaushi! Gjakun e ka te muri, menduan se ka plot kasafortën e Enverit” flasin të afërmit e 89-vjeçarit

Ngjarja e ndodhur në Mallakastër ka tronditur opinionin publik.

Një 89-vjeçar humbi jetën pas plagëve të marra nga dhuna e ushtruar nga dy të rinj të cilët dhe e grabitën dhe e kërcënuan me armë.

Të afërm dhe banor të zonës kanë folur lidhur me ngjarjen e ndodhur.

“Vdiq Çaushi?! Burri më i mirë në fshat, ka qenë tregtar në kohën e Enverit. Kishte 2 djem e dy vajza. 3 i ka në Greqi kurse vajzën e vogël e ka në Francë. I kanë vjedhur dhe herë tjetër, i kanë vjedhur çiften.”, tha një banor i zonës.

“Ne kur erdhëm e gjetëm të vrarë, e gjetëm të vrarë në mes të shtëpisë. Unë jam e kunata. Do të vini lartë ta kontrolloni, gjakun e ka te muri.”

“Unë jam mbesa e tij, nusja e nipit. E vranë hajdutët. I ka ndodhur dhe një herë para 7, 8 muajsh.”

“Këta dy djem kanë tentuar ta vjedhin dhe herë tjetër, tani që erdhën prapë  e kanë rrahur a vjedhur nuk e dimë. Por është marrë vesh me vonesë, se të shoqen e ka me sklerozë, vetë me zemër. Fëmijët i ka në Greqi. Grabitësit nga kjo zonë janë por kanë ikur janë me qera. Ka pasur kasafortën e Enverit dhe kanë menduar se do të ishte plotë, po ku ka lekë tani të mbushet kasaforta. Ndaj i vajtën atëherë për ta vjedhur, tani i vajtën e vranë fare.” tha një tjetër banor i zonës.

Lidhur me ngjarjen në fjalë u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orën 02:30 të datës 19.11.2022, në fshatin Klos, Mallakastër.

Dy të rinjtë nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.