"Dhe ajrin do ta na marrin?!" Vendoset kabina, së shpejti dhe trau në parkun Divjakë-Karavasta

Ajo që banorët turist i druheshin po bëhet fakt. Vendosja e kësaj kabine ditën e mërkurë, 16 nëntor,  lajmëron se shumë shpejt hyrja në parkun Divjakë-Karavasta do të jetë kundrejt pagesës.

Me instalimin e traut ditët e ardhshme të gjithë vizitorët që shkelin aty do të duhet të paguajnë jë tarifë që mendohet se shkon deri në 150 lekë.

Banorët u ngritën në protestë duke kundërshtuar vendimin e qeverisë.

"Dhe ajrin do të na marrin këta ne? I paguajmë të gjitha, pse na bllokojnë këtu?"

Ata thanë se nuk mund të paguajnë për një pasuri që e kanë mbrojtur dhe janë kujdesur vetë ndër vite.

"Në 1997, 1998 nuk u prish asgjë këtu. Këta vijnë tani dhe të na rrjepin, lëkurën do t'u japim këtyre ne?"

Patën dhe mbështetjen e përfaqësuesve të opozitës.

"Do ta ndjekim në rrugë ligjore, në gjykatë dhe e sigurt se do të fitojmë."

"Nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të heqim këtë copë llamarinë këtu dhe ta hedhim në kanal."

Protesta e tyre solli në park dhe forca të shumta të policisë.

Banorët thanë se do ta vazhdojnë reagimin e tyre deri në tërheqjen e vendimit.