Arrestimet për incineratorin e Fierit, avokati: Rrjeta po shkon drejt peshqve të mëdhenj, surpriza do të ketë Tirana

Avokati Besart Logu i cilëson zhvillime pozitive arrestimet e sotme nga SPAK për incineratorin e Fierit.

Në një intervistë për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja, ai thotë se rrjeta po shkon drejt peshqve të mëdhenj.

Logu: Është një ditë jo e zakonshme, përcjell mesazhin se drejtësia po funksionon, rrjeta po shkon drejt peshqve të mëdhenj.  Ky është mesazh për qytetarët dhe politikanët. Ju thotë politikanëve që kujdes! Çekiçi i drejtësisë ka filluar të bëjë zhurmë.

Avokati thotë se pret të tjera zhvillime në vijim dhe surpriza sipas tij rezervon incienratori i Tiranës.

Logu: Kam përshypjen se do të ketë zhvillime të mëtejshme. Fletëarrestet e fundit janë për incineratorin e Fierit, por kur të kalojmë te incineratori i Tiranës kam përshtypjen se do të ketë surpriza. Është një zhvillim që duhet ta mirëpresim, duhet të shohim pjesën e gjykimit tashmë.

Sipas avokatit, zhvillimi i sotëm rrëzon dhe alibinë e qeverisë Rama, e cila pretendonte se nuk ka aferë, kontrata është e ligjshme, marrëdhëniet janë të ligjshme.

Logu: Sa kohë kemi prerjen e fletëarresteve do të thotë se kontrata është në kundërshtim me ligjin. Prokuroria nuk të thërret kot. Je subjekt që ke lënë një gjurmë diku. Te incineratori i Tiranës kam përshtypjen se do ti afrohemi peshqve të mëdhenj. Me aq sa kam informacion, të gjitha dosjet që janë në hetim të gjitha janë në procedurë.

Logu komentoi edhe procesin gjyqësor për Alqi Bllakon, i cili u rikthye në qeli pasi ishte lënë në arrest shtëpie.

Logu: Ditën që doli në "arrest shtëpie" të thashë se është një gjë e përkohshme. GJKKO është një gjykatë statistikash. 99% e rasteve janë dënime me burgim. Alqi Bllako dhe çdo politikan tjetër duhet të bëjnë çmos të mos u shkojë dosja atje, po u shkoi dosja në SPAK dhe më pas në GJKKO, propabiliteti që të dënohen është i lartë.