Rama të rinjve të Beratit u flet për luftën në Ukrainë: E organizuar për të goditur Perëndimin

Në bashkëbisedimin me të rinjtë e Beratit, kryeministri Edi Rama u foli atyre edhe për problemet që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

Sipas tij, lufta nuk është e konceptuar dhe nuk është e organizuar thjesht dhe vetëm për të goditur Ukrainën, por edhe për të goditur të gjithë perëndimin e Rusisë, jo me bomba, por me armë të tjera.

Ai shtoi se Berati nuk është si më parë, pa diskutim që Berati është ende jo ai që mund të jetë, ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye duhet vazhduar qeverisja e PS-së.

Rama: Ne jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë, të jenit të sigurt për këtë, për problemet që ju hasni në të përditshmen tuaj për situatën aktuale, nuk e di sa ju jeni të vetëdijshëm, lidhur me vështirësitë e shtuara për shkak të luftës në Ukrainë, e cila në Ukrainë bën gjithë ato shkatërrime, që jam i bindur se të gjithë ju i keni parë, por nuk është e konceptuar dhe nuk është e organizuar thjeshte dhe vetëm për të goditur Ukrainën, por edhe për të goditur të gjithë perëndimin e Rusisë, jo me bomba, por me armë të tjera. Është një kohë e re për botën, është një kohë kërcënimi dhe është një kohë kur edhe ushqimi rrezikon të kthehet në një armë për të bërë dëm tek të tjerët, ashtu sikundër është kthyer energjia, çmimi i së cilës është rritur në stratosferë dhe ashtu sikundër është vënë mbi kokat e të gjitha vendeve inflacioni i luftës.

Por përtej të gjitha këtyre, unë besoj që sot ne mund të themi me plot gojën që asgjë nuk është si më parë, edhe në aspektin pozitiv. Berati nuk është si më parë, pa diskutim që Berati është ende jo ai që mund të jetë, ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku me të gjithë ata që, kur i thonë vetes shqiptarë, dinë se çfarë thonë dhe që krenarinë e të qenit shqiptarë, e kanë të panegociueshme për asnjë arsye. Dhe krenarinë për vendin e tyre e kanë domosdoshmëri në të përditshmen e punës së tyre.