Rama “mburret” me punën e të rinjve në internet: Ka nga ata që marrin më shumë se sa mua

Në bashkëbisedimin me të rinjtë e Beratit, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk është e vërtetë që nuk ka mundësi në vendin tonë.  

Sipas tij, kudo do duhet të bësh sakrifica dhe do duhet të luftosh shumë për të arritur atë që mendon dhe jo domosdoshmërish do ta arrish.

Ai theksoi se janë një numër të rinjsh dhe të rejash në Shqipëri sot që flasim, nuk janë shumë, punojnë nga shtëpia për tregje të tjera jashtë Shqipërisë, paguhen më mirë sesa të gjithë aty, bashkë me ne.

Rama: Ama, një gjë dua ta them me forcë. Të bësh një zgjedhje për të provuar veten në një vend tjetër është e natyrshme, por ama të thuash, “unë do shkoj në një vend tjetër sepse këtu nuk ka mundësi ” kjo nuk është e vërtetë. Natyrisht që këtu ka vështirësi, por kudo ka vështirësi, askund nuk është shtruar një tapet i kuq ku po presin që ti të shkosh dhe të kesh një jetë siç e ëndërron. Kudo do duhet të bësh sakrifica dhe do duhet të luftosh shumë për të arritur atë që mendon dhe jo domosdoshmërish do ta arrish. Këtu patjetër që ka mundësi dhe ka gjithmonë e më shumë  mundësi për ata që duan të shikojnë mundësitë dhe për ata që janë të gatshëm që të luftojnë për t’i realizuar ato që mund të realizohen.

Janë një numër të rinjsh dhe të rejash në Shqipëri sot që flasim, nuk janë shumë, por fatmirësisht ekzistojnë, që punojnë nga shtëpia për tregje të tjera jashtë Shqipërisë, paguhen më mirë sesa të gjithë ne që jemi këtu minimalisht dhe janë akoma në shkollë një pjesë e tyre, në shkollë të mesme apo universitet sepse koha e sotme e ka sjellë këtë mundësi që përmes teknologjisë, në rast se ti aftësohesh dhe ke çfarë t’i ofrosh atij tregu, ti mund të gjesh punë në çdo cep të globit, pa lëvizur fare nga shtëpia. Nuk ka rëndësi jeton në qytetin e Beratit apo në fshat; në rast se ke një kompjuter dhe ke një qasje në rrjet, ti mund të punosh kudo dhe madje të jesh burimi kryesor e të ardhurve për familjen tënde, por nuk është vetëm kjo, kjo është një.