Qeveria pranon shpopullimin, ekspertët: Projektligji për shkollat e bashkuara nxit largimin e shqiptarëve

Shpopullimi është një fakt që nuk mohohet më nga qeveria, përkundrazi ajo tashmë e shikon këtë edhe si një mundësi për kursimin e buxhetit. Kjo pasi, Ministria e Arsimit ka bërë gati projektligjin për bashkimin e tri cikleve të arsimit parauniversitar në një godinë të vetme, apo siç e emërton ajo, drafti për shkollat e bashkuara.

Edhe pse nuk pranohet zyrtarisht nga qeveria, emigrimi masiv i shqiptarëve ka detyruar Ministrinë e Arsimit të hartojë një projektligj për krijimin e shkollave të bashkuara. Por për ekspertët e arsimit bashkimi i shkollave në një godinë të vetme është një shtysë për të detyruar shqiptarët të braktisin vendin.

Valbona Nathanaili thotë se ky projektligj bie në kundërshtim me politikat që shteti duhet të marrë për të ndaluar shpopullimin e vendit.

“Mbyllja e shkollës është baras si ti thuash ik nga shkolla, ik nga fshati, ik nga Shqipëria.”

Sipas ekspertes nxënësve që u mbyllet shkolla duhet tu sigurohet ose transport ose konvikt.

“Hapja e shkollave të bashkuara në rastin kur fëmijët që do të vijnë, ndodhen në një distancë mbi 5 km, t'ju ofrohen 2 alternativa ose transporti falas ose shkolla të jetë me konvikt.”

Por ajo që duhet të diskutohet në këtë projektligj është edhe kualifikimi i mësuesve.

“Në ligj duhet përcaktuar dhe statusi i veçantë që duhet të kenë mësuesit që punojnë në shkollat e bashkuara. Do të duhen mësues që janë shumë profesionist për të punuar me fëmijë që vijnë nga begraunde të ndryshme."

Në Shqipëri janë mbyllur 103 shkolla në 4 vitet e fundit, por minsitrja e Arsimit Evis Kushi nuk ka një përgjigje për këtë fenomen.

“Sot jemi për lajme të mira, sot jemi për ngjarjen më të bukur të vitit që është panairi i librit, kështu që ju ftoj dhe ju që të blejmë nga një libër dhe t’ju japim mbështetje botuesve.”

Në projektligjin për arsimin universitar sqarohet se “Shkollë e bashkuar” është institucioni arsimor parauniversitar publik, që përfshin ciklin e arsimit të mesëm, të lartë dhe ciklin e arsimit bazë.