"Të bllokojmë portin e Durrësit!" Berisha: Do ngremë komision hetimor dhe do dalim në protesta

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje deputetëve të grupit të tij parlamentar që të nisin punën për të ndalur me çdo kusht dhe mjet projektin, që ai e cilësoi si mafioz, të Edi Ramës për ndërtimin e një porti të ri në Durrës. Ai tha se do ketë një Komision Hetimor për mega-aferën e Portit të Durrësit. Ndërsa shtoi se do ketë edhe protesta ndaj asaj që e quajti si vjedhja më e madhe në histori.

Mega-afera korruptive me Portin e Durrësit që po gatuhet nga qeveria dhe vetë kryeministri Edi Rama duhet ndalur me çdo kusht.

Është kjo thirrja e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në mbledhjen me deputetët e grupit të tij parlamentar, Berisha u zotua se Partia Demokratike do të përshkallëzojë nismat e saj jo vetëm në sheshe përmes protestave, por edhe në Kuvend, ku bëri me dije se do të kërkohet ngritja e një Komisioni Hetimor për këtë çështje.

Berisha: Nuk ka njohur toka një vjedhje si kjo.Ndërtohet për pasunarët dhe qeveritarët Marina Bay, paguajnë shqiptarët sikur të jenë skllevër rreth 2 miliardë për portin tjetër.

Kurse Rama, Olsi dhe Karricët e tyre, sipas asaj që kanë shkruar aty, 60 përqind, se e kanë sekret, 60-përqindëshi nuk mund të jetë kush tjetër përveç Edi Ramës, Olsi Ramës, Bledi Çuçit dhe klanit qeveritar të drogës, ne do bëjmë betejën më të fuqishme ligjore, por do jetë një betejë me protesta, që nuk mund të kenë të ndalur.

Sipas Berishës, shteti shqiptar fiton vetëm 200 mijë euro në vit nga kjo aferë që shkakton dëm ekonomik deri në 6 miliardë euro.

Berisha: Ata marrin falas 3 miliardë euro truallin, ata ndërtojnë nga ky, 12600 apartamente, një barbari e vërtetë urbanistike. Dhe, Edi Rama me zonjën Balluku, të verbuar nga babëzia për ta përvetësuar këtë pasuri të madhe, shpallin përvetësimin e saj. A ka goditje më të rëndë për këtë vend se kjo?

Kur me një marrëveshje, ti dëmton të paktën 6 miliardë euro, duke llogaritur ndërtimin e portit të ri, rritjen e kostove të transportit, tani që nuk do funksionojë porti i ri. Kjo është një gjë që shqiptarët nuk mund ta pranojnë kurrë, ndaj dhe ne do bëjmë betejën më të fuqishme ligjore, por do jetë një betejë me protesta, që nuk mund të kenë të ndalur.

Duhet t’i dalim zot në emër të çdo shqiptari që e do këtë vend, që vendos të jetojë në këtë vend, që po vuan dhe mezi e përballon jetën, por edhe në emër të atyre që po ikin për këto arsye.

Kryedemokrati po ashtu u kërkoi ligjvënësve demokratë që në diskutimet për buxhetin, të përgatisin një sërë amendamentesh që do jenë në funksion të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, biznesit, dhe të denoncojnë çdo projektim për oligarkët.

Sepse, tha ai, gjithçka është ndihmë për pushtetin e krimit të Edi Ramës.