Raketa në Poloni, Stoltenberg: U shkaktua nga mbrojtja ajrore ukrainase
Pas disa aludimeve në Varshavë dhe Kiev, kreu i NATO-s ka konfirmuar se raketat që ranë në territorin polak kanë ardhur nga forcat mbrojtëse ukrainase. Shtoltenberg thotë se nuk ka të dhëna se Moska po tenton të sulmojë ndonjë vend anëtar të Aleancës.
Raketat e rëna në fshatin polak që ngjallën frikën e zgjerimit të luftës mes Rusisë dhe NATO-s kanë ardhur nga strukturat ajrore të mbrojtjes së Ukrainës.
Kështu të paktën konfirmojnë hetimet paraprake sipas kreut të Aleancës.
"Në lidhje me incidentin po zhvillohet një investigim, por nuk kemi indikacione se kjo ishte si rezultat i një sulmi të qëllimshme. Sipas hetimeve paraprake, raketat u lëshuan nga forcat mbrojtëse të Ukrainës," tha ai.
Jens Stoltenberg po ashtu tha se nuk ka asnjë tregues se Rusia po përgatit veprime ushtarake kundër vendeve anëtare të NATO-s.
Deklarata e kreut të Aleancës ndjek komentet e presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden i cili tha se sipas inteligjencës amerikane raketat kishin ardhur nga forcat ukrainase.
Kujtojmë që Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski nxitoi të fajësojë Kremlinin për raketat e rëna në territorin polak, një vend anëtar i NATO-s.
Moska i mohoi akuzat, duke shtuar se forcat e saj nuk kishin lëshuar raketa në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë.
Mbrëmjen e së martës dy raketa të rëna në fshatin polak, Psevodu lanë të vdekur dy burra.
