Shefi i NATO-s komunikon me presidentin polak: E rëndësishme të vërtetohen faktet

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg shkruan në Twitter se ka komunikuar me presidentin polak Andrzej Duda për shpërthimin.

"Unë i shpreha ngushëllimet e mia për humbjen e jetëve. NATO po monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen," thotë ai.

Ndërkohë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen thotë se është "e alarmuar" nga raportet që vijnë nga Polonia.

“E alarmuar nga raportet për një shpërthim në Poloni, pas një sulmi masiv me raketa ruse në qytetet e Ukrainës. Shpreh ngushëllimet e mia dhe mesazhin tim më të fortë të mbështetjes dhe solidaritetit me Poloninë dhe miqtë tanë ukrainas”.

Gjatë orëve të fundit në rrjetet sociale kanë qarkulluar imazhe, ku thuhet se tregojnë fragmente raketash nga skena e sulmit në Poloni.

BBC nuk ka qenë në gjendje t'i verifikojë këto foto, por ka folur me tre ekspertë të mbrojtjes.

Mark Cancian, nga think tank CSIS, beson se mund të jetë nga një sistem S-300. 

Ky lloj rakete zakonisht përdoret për sulme tokë-ajër dhe është përdorur nga Rusia dhe Ukraina gjatë gjithë luftës.

Dy persona u vranë në Poloni pasi raketat ranë pranë kufirit me Ukrainën.

Mediat polake dhe agjencia e lajmeve AP thanë se raketat ruse ishin përgjegjëse, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se raportet përbënin një "provokim të qëllimshëm që synon përshkallëzimin".

SHBA dhe fuqi të tjera ndërkombëtare thonë se po hetojnë atë që ka ndodhur.

Byroja e Sigurisë Kombëtare e Polonisë është mbledhur në një seancë urgjente dhe do të japë një deklaratë.