Zyrtari amerikan: Raketat ruse kaluan në Poloni, vranë dy persona
Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, tha se raketat ruse kaluan edhe në Poloni dhe vranë dy persona, raporton AP.
Polonia është shtet anëtar i NATO-s.
Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Mueller, nuk e konfirmoi menjëherë këtë informacion, por tha se krerët e shtetit po mbajnë një takim urgjent për shkak të një "situate krize".
Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën në një fshat polak, i cili gjindet pranë kufirit me Ukrainën.
Pentagoni tha se nuk mund t'i konfirmojë këto raportime.
"Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet e mediave, të cilat pretendojnë se dy raketa ruse kanë goditur një vendndodhje brenda Polonisë, afër kufirit me Ukrainën. Mund t'ju them se ne nuk kemi asnjë informacion në këtë moment për të vërtetuar këto raportime dhe jemi shikuar këtë çështje edhe më tej”, tha ka thënë koloneli Patrick Ryder, një zëdhënës i ushtrisë amerikane.
Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi se raketat e saj kaluan në Poloni, duke i quajtur raportimet një "provokim të qëllimshëm".
Reagimet ndërkombëtare
Pas këtij lajmi ka reaguar ministria e Jashtme e Estonisë, ku ka thënë se është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.
"Lajmet e fundit nga Polonia janë më shqetësuese. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ne jemi në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë Poloninë”, thuhet në postimin e kësaj ministrie në Twitter.
Edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se duhet mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s dhe se vendi i tij qëndron në solidarite të plotë me Poloninë.
Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se nëse Polonia konfirmon se raketat kanë goditur edhe territorin e saj, ky do të jetë një përshkallëzim i mëtejshëm nga Rusia.
"Ne qëndrojmë fort pas aleatit tonë në BE dhe NATO", ka shkruar ai në Twitter.
Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të obliguara të ndihmojnë një vend tjetër anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet.
“Sulmi ushtarak kundër një anëtari do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve”, thotë neni 5 i traktatit.
Më 15 nëntor, Rusia ka sulmuar me raketa Kievin dhe disa qytete tjera ukrainase, ku të paktën një person është vrarë.
Ky duket të jetë një sulm mbarëkombëtar, pasi sulme të njëjta po raportohen edhe në Zaporizhja Mykolaiv, Chernihiv dhe vende tjera.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se 85 raketa janë lëshuar kundër Ukrainës të martën dhe 20 të tjera pritet të godasin vendin.
Ky sulm po ndodhë derisa liderët botërorë janë mbledhur në Bali të Indonezisë në samitin e G20-tës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ku kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër këto sulme.
Javën e kaluar Moska ka tërhequr trupat e saj nga qyteti jugor Herson - një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Në të kaluarën, kur Rusia ka pësuar humbje në terren, ajo ka sulmuar përmes ajrit.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt./REL/

