Britania do të jetë pjesë e planit të BE për lëvizjen më të shpejtë të forcave të armatosura

Bashkimi Evropian ftoi sot Britaninë të marrë pjesë në një plan të lëvizshmërisë ushtarake që shihet si i rëndësishëm për përmirësimin e aftësisë së BE-së dhe NATO-s për t'iu përgjigjur krizave, njoftoi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Britania, e cila u largua nga BE në vitin 2020, u kishte kërkuar ish-partnerëve të saj që të mund të merrnin pjesë në këtë bashkëpunim ushtarak evropian.

"Të 27-të  anëtarët e ftuan zyrtarisht sot që t'i bashkohet këtij plani duke këmbëngulur në "vlerën e shtuar të rëndësishme të Britanisë", tha Josep Borrell në një deklaratë.

Vendimi u mor gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Bruksel, ku mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Lëvizshmëria ushtarake është një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s, nënvizoi Jens Stoltenberg.

Nga 30 vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, 21 janë anëtarë të BE-së.

"Sigurimi i lëvizjes së shpejtë dhe transportit të sigurt të forcave të armatosura është çelësi për përmirësimin e aftësisë së BE-së dhe NATO-s për t'iu përgjigjur krizave, veçanërisht tani që ne po ofrojmë mbështetje urgjente ushtarake për Ukrainën," shpjegoi Josep Borrell.

"Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka dëshmuar edhe një herë se aftësia për të lëvizur shpejt forcat dhe pajisjet ushtarake nëpër Evropë dhe më gjerë është kritike për sigurinë tonë," vuri në dukje ai.

SHBA, Kanadaja dhe Norvegjia i ishin bashkuar partneritetit evropian në vitin 2021.

Ky bashkëpunim thjeshton dhe standardizon procedurat kombëtare për transportin ushtarak ndërkufitar dhe në këtë mënyrë mundëson lëvizjen e shpejtë të personelit ushtarak dhe aseteve në të gjithë Bashkimin Evropian me rrugë, hekurudhore, detare ose ajrore.

Lëvizshmëria e trupave është pjesë e një angazhimi të anëtarëve të NATO-s për të qenë në gjendje deri në vitin 2030 të dislokojnë 30 batalione të motorizuara, 30 skuadrile, 30 anije luftarake brenda 30 ditëve për të kundërshtuar një operacion ushtarak rus, i parë si një ndërhyrës i mundshëm.