Përdoruesit e Twitter ‘kryqëzojnë’ Musk, i kërkohet rikthimi i llogarisë së ish-presidentit Trump

Pasi shpalli kandidaturën për president, mbështetësit e Donald Trump i kërkojnë kreut të Twitter që të rikthejë llogarinë e republikanit e cila iu pezullua vitin e shkuar.

Përdoruesit e medieve sociale i kërkojnë pronarit të Twitter Elon Musk të rikthejë ish-presidentin në platformë pasi 76-vjeçari shpalli zyrtarisht kandidaturën për t’u rikthyer në presidencë në vitin 2024.

"Donald Trump po garon për president në 2024. Kur do ta lejojë Elon Musk atë të rikthehet në Twitter?

Elon Musk ka një kandidat të deklaruar për president të SHBA-ve të cilit i është ndaluar qasja në Twitter, ndërsa presidenti Biden lejohet të postojë çdo ditë.

Tani që Donald Trump është zyrtarisht kandidat për president, çështja e pezullimit të tij nga Twitter ngre një pyetje të rëndësishme për Elon Musk. A duhet të pezullojë Twitter kandidatët presidentët e SHBA-ve?"

Trump u pezullua nga platforma në janar të vitit 2021, dy ditë pas trazirave në Kongresin Amerikan.

Ishte një lëvizje e madhe nga gjiganti i medieve sociale pasi ish-presidenti e përdori platformën në mënyrë konstante gjatë mandatit të tij 4-vjeçar dhe dy fushatave në vitin 2016 dhe 2020.

Përvetësimi i Twitter nga Elon Musk në tetor solli një sërë thirrjesh për biznesmenin në lidhje me rikthimin e Trump në platformë.

Ai komentoi në lidhje me çështjen në Twitter në nëntor pas kërkesës në rritje për të rikthyer llogarinë e ish-presidentit duke iu thënë ndjekësve që është në dijeni të çështjes.