Thikë pas shpine për vendin e punës, Kryebashkiaku i Divjakës e shoferi jashtë rrezikut, agresori pret masën
Gjykata e Lushnjes pritet të japë të martën masën e sigurisë për 46-vjeçarin, Orgest Xhelili, i cili plagosi me thikë të premten kryebashkiakun e Divjakës dhe shoferin e tij. Largimi nga puna në bashki, ka qenë shkaku i konfliktit sipas dëshmive.
Orgest Xhelili, 46-vjeçari që plagosi kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij Gazmend Bullari, do të njihet të martën me akuzat dhe masën e sigurisë në Gjykatën e Lushnjes.
Në dëshminë para grupit hetimor, ai mësohet se ka pranuar autorësinë e plagosjes së dyfishtë dhe ka zbuluar arsyen pse sulmoi Kryebashkiakun.
Orgest Xhelili mësohet se ka deklaruar se ka qenë largimi nga puna si inxhinier IT pranë Bashkisë së Divjakës shkaku i konfliktit që përfundoi në sulm me thikë ndaj të zgjedhurit vendor.
Kryetari i Bashkisë së Divjakës ndërkohë mbetet ende nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi një nga goditjet me thikë në shpatull i preku mushkërinë.
Ndërsa Gazmend Bullari, të cilit thika i preku disa organe po trajtohet në Spitalin e Lushnjes. Të dy, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetën.
Burime thonë se në dëshminë e parë ata kanë deklaruar se po shkonin drejt zyrave të Bashkisë Divjakë mëngjesin e së premtes, kur Orgest Xhelili kishte nisur ti ofendojë.
Në momentin kur kryebashkiaku Kokoneshi ka kthyer kurrizin për t’u larguar, ata pretendojnë se 46-vjeçari sulmoi duke e goditur disa herë me thikë.
Shoferi ndërhyri për ti shpëtuar jetën dhe mbeti i plagosur rëndë vetë.
Orgest Xhelili pritet të dalë para gjykatës me një avokat të caktuar nga shteti, pasi asnjë nga mbrojtësit ligjore në Lushnje nuk ka pranuar ta përfaqësojë.
