100 ditëshi i policisë, Ora News zbardh analizën dhe performacën e 6 komisariateve
Policia e Shtetit nuk ka ende një bilanc në lidhje me fatin e Ervis Martinajt dhe fushatën e ndërtimeve pa leje edhe pse 100 ditëshi i vendosur nga kryeministri Rama për kreun e policisë po mbushet. Në prag të këtij afati mësohet se drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku do të zhvillojë analiza pune në strukturat e varësisë ndërkohë Ora News ka zbuluar raportin e përformancës së 6 komisariateve të Tiranës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, është duke plotësuar afatin 100 ditësh të vendosur nga kryeministri Edi Rama për ndryshimin e situatës së rendit në vend.
Dy detyra konkrete të lëna nga Kryeministri për zbardhjen e fatit të Ervis Martinajt dhe ndryshimin e situatës me ndërtimet pa leje, janë ende pa bilanc.
Ndërkohë në plotësim të këtij afati mësohet se vetë kreu i policisë do të bëjë skanimin e punës nga data 16 nëntor e në vazhdim përmes analizave fillimisht në 6 komisariatet e Tiranës.
Ora News ka zbardhur raportin me të dhënat e performacës së komisariateve duke filluar nga data 7 shtator kur u zyrtarizua emërimi e Muhamet Rrumbullakut në vend të Gledis Nanos.
Dokumenti i analizës që i është vendour në dispozicion edhe kreut të policisë, treguesit e punës janë analizuar në operacionet e finalizuara, armët e kapura, personat në kërkim që janë arrestuar dhe rastet e dhunës në familje.
Komisariati numër 1 ku vetëm pak javë më parë u emërua Petrit Halo në këtë periudhë ka finalizuar 2 operacione, ka arrestuar 2 persona në kërkim, dhe ka vënë në pranga 3 autorë për dhunë në familje.
Komisariati numër 2 me drejtues Edmond Pjeterin ka finalizuar 6 operacione, ka arrestuar 2 persona në kërkim, ka kapur një autor të dhunës në familje si dhe ka bllokuar 3 armë zjarri.
Altin Lila i cili drejton komisariatin numër 3 ka finalizuar 5 operacione, ka arrestuar 2 të kërkuar dhe tre persona për dhunë në familje, e ndërsa ka kapur 1 armë zjarri.
Komisariati 4 më drejtuesin e ri Luan Hysenji ka finalizuar 7 operacione me kapjen e një personi në kërkim dhe një tjetër autori të dhunës në familje si dhe ka sekuestruar 3 armë zjarri.
Oliger Torba i cili prej kohësh drejton komisariantin 5 ka finalizuar tri operacione, duke kapur 3 persona në kërkim bashkë me 3 të tjerë për dhunë në familje. Ky komisariat ka sekuestruar edhe tri armë zjarri.
Komisariati 6 me drejtues Alket Shaton ka kyer 7 operacione policore, duke vënë në pranga 1 në kërkim dhe një për dhunë në familje. Gjatë aksioneve kjo strukturë ka sekuestruar edhe 3 armë zjarri.
