Kantieri bllokon lagjen "Tahir Kadere" në Tiranë, 50 familje mes llaçit e betonit
Rreth 50 familje në rrugën "Tahir Kadere" në Tiranë denoncuan bllokimin e rrugëkalimit për në banesat e tyre nga një kantier ndërtimi i ngritur me lejen e Bashkisë së Tiranës. Ata thonë se kjo situatë ka afro 6 muajsh, kur kanë nisur punimet për ngritjen e një pallati nga një kompani private. Qytetarët janë ankuar në Bashki, por nuk kanë marrë zgjidhje.
Kjo është e vetmja mundësi kalimi për 50 familje në zonën e ish-Doganës, në rrugën "Tahir Kadare" në Tiranë.
Thonë se prej 6 muajsh subjekti ndërtues Constech Group, i cili po ndërton pallat, u ka bllokuar rrugën ku kalojnë për të shkuar në banesat e tyre.
"Jam 73 vjeçe, i rashë dyqaneve rreth e përqark një orë, mu zu fryma."
Vendosja në punë e betonieres shkakton bllokimin total të qarkullimit.
"Rruga nuk mbyllet as mes pyllit me qenë."
Kjo situatë është kthyer në shqetësim edhe për rastet e urgjencave.
"Pardje do të shkoja në spital, qëndruam një orë se na kishte zënë rrugën betonierja."
Thonë se rreziku që ju kanoset është i madh.
"Shumë e rrezikshme."
"Të na hapet rruga, siç ka qenë. Është gjëja më e rëndësihme. Jemi të sëmurë, jemi pleq. Kemi një hall e sëmundje s'kemi ku të kalojmë.Jemi në mes të rrezikut. Këtu të bien tullat kokës."
Banorët thonë se janë ankuar në Bashkinë e Tiranës por nuk kanë marrë zgjidhje.
"I kemi lajmëruar dhe nuk po na vijnë që të na shohin."
"Prej 6 muajsh kjo rrugë është mbyllur për shkak të një gradaçele që po ngrihet këtu. Shqetësimi ynë kryesor është se ne nuk kemi rrugëdalje. edhe këtu ku jemi kjo rrugë u shërben vetëm këtyre.
Nuk na shërben neve pasi gjatë punës vjen betonierja dhe ky shesh i vogël këtu u shërben vetëm këtyre. Ne nuk kemi asnjë lloj rruge tjetër.Sot që flasim sot kjo rrugë nuk funkionon më. Edhe Bashkisë i jemi drejtuar, për një zgjidhje. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje."
