Boshatiset Grykë Zeza, vetëm 5 km larg Lezhës
Jo vetëm zonat e thella, por edhe fshatra shumë afër qyteteve po boshatisen nga të rinjtë. I tillë është rasti i Grykë Zezës në Lezhë, ku kanë mbetur vetëm të moshuar.
Prej disa vitesh në fshat nuk sheh të rinj, ndërsa shumë shtëpi janë të mbyllura.
Ndonëse ndodhet më pak se 5 km larg qytetit të Lezhës, Gryk Zeza është boshatisur.
Në këtë fshat kanë ngelur kryesisht të moshuar.
“Kanë ikur djemtë e rinj, jemi në hall, se kemi ngelur vetëm pleqëria. Pleqtë, plakat ne që skemi takat të shkojmë në punë, të tjerët kanë ikur, kush ka mundur. Çfarë të bësh këtu? Vetëm të shikosh qiellin,” thanë banorët.
Humbja e shpresës në vendin e tyre ka detyruar shumë familje e sidomos të rinjtë, që të emigrojnë, thonë banorët e Grykë Zezës.
“Nuk kanë jetesë, nuk kanë punë. Këtu nuk ka punësim, lagjet me probleme, pa ujë, pa rrugë. Unë s'jam e zonja të shkoj të marr ilaçet në spital. Në mëshirë të zotit,” thonë ato.
Deri në vitin 2010 në Grykë Zezë të Lezhës, jetonin rreth 300 banorë dhe sot nuk kanë mbetur më shumë se 100 njerëz.

