Primaret/ Bardh Spahia përballë Irena Shestanit, mësohen emrat në garë për Shkodrën
Primaret janë filtri që përcakton emrat zyrtar të kandidatëve për drejtimin e 61 bashkive të vendit në zgjedhjet e 14 Majit.
Në 13 Nëntor ka përfunduar afati i dorëzimit të kandidaturave për bashkitë e qarkut Shkodër ku janë mësuar edhe emrat që do të testohen përballë njëri – tjetrit për të marrë mbështetjen e anëtarësisë demokrate.
Kryetari në detyrë i bashkisë Shkodër Bardh Spahia i cili pak javë më parë e shprehu ekskluzivisht për oraneës rikandidimin do të ketë përballë në primare ish numrin dy të PD Shkodër Irena Shestanin, me të cilën ishte përballë edhe në primaret e 6 Marsit.
Ndërkohë në Malësi të Madhe përballë do të jenë dy ish kryetar komunash dhe rival në garën për drejtimin e deges lokale, Fredi Sterkaj dhe Isa Rama. Nga deputetët e qarkut, i vetmi që ka shprehur gatishmërinë për të lënë mandatin dhe garuar për drejtimin e një bashkie është Zef Hila.
Ai do të jetë pjesë e garës për Vau Dejësin, bashki që e ka drejtuar më herët, ndërsa përballë ka sekretarin e degës Kolë Shaben. Në Pukë është vetshpallur ish kryetari i komunës Gjegjan Rrok Dodaj. Ndërsa demokratët janë në ethet e primareve dhe kush do të zyrtarizohet prej votës së anëtarësisë, krejt panoramë tjetër ka selia rozë.
Emrat atje i vendos kryetari Edi Rama me strukturën drejtuese, ndërsa potencialisht si emri më i mundshëm për Shkodrën shihet deputeti Benet Beci.
Pasi u dërgua me mission në Pukë, ai është rikthyer sërish në Shkodër për të marrë drejtimin politik të bashkisë, krah Elisa Spiropalit që i është besuar qarku.
Në Vau Dejës pritet të kandidojë kryetari i degës Kristjan Shkreli, ndërsa në Malësi të Madhe dhe Puke përflitet rikandidimi i kryetarëve aktual Tonin Marinaj dhe Gjon Gjonaj.
