Akuzë e re për ish-policin/ Gjykata i kthen Prokurorisë dosjen e ish-policit Arbër Sula
Gjykata e Tiranës i kthen prokurorisë dosjen e ish-policit Arbër Sula, i cili vrau me armë zjarri në një market, në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit 2021, Jurgen Dukën.
Shkak për kthimin e akteve në prokurori është bërë kërkesa e gjykatës, për të ndryshuar kualifikimim e veprës penale.
Prokurori Petri Hysi, e përfundoi dosjen me akuzën e "vrasjes në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike", ndërsa në vlerësim të gjykatës, akuza duhet të jetë "vrasje për cilësi të veçanta".
I pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, çka nuk është pranuar nga Gjykata.
Ish-agjenti i krimeve me detyrë në Dibër, qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin në konfliktin e nisur për radhën e pagesës, në market, në rrugën ‘Irfan Tomini’.
Fillimisht Duka mbeti i plagosur, ndërsa ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi plumbi e preku në zemër.
Arbër Sula ishte në arrati për më shumë se dy muaj, dhe u vetëdorëzua në polici në 1 mars të këtij viti.
