Protesta e opozitës, Andoni: Më shumë për të treguar se Meta e Berisha mobilizojnë njerëzit e tyre

Opozita zhvilloi dje, më 12 nëntor, protestën e saj të paralajmëruar javë më parë.

Thirrje së saj iu përgjigjën qindra qytetarë, ndërsa analisti Ben Andoni e pa atë më tepër si një mesazh që opozita dhe krerët e saj Berisha e Meta dhanë se ata janë të aftë të mbledhin njerëzit e tyre.

Ai tha se më tepër i ishte kushtuar rëndësi podiumit e skenës, sesa rrëzimi i Ramës nga pushteti, siç dhe ata janë shprehur si motiv i kësaj proteste.

"Parimisht, dejure, apo në mënyrën se si është shfaqur opozita ka qenë si një cak i fundit për qeverinë. Ne e dimë se qeveritë nuk ndryshojnë me protestë. Kjo ka qenë mënyra se si është blerë koha, si është blerë vullneti, se si është ngritur në njëfarë mënyre motivimi i publikut.

Ndërkohë që ajo që dukej është se përsëri është ngritur kurthi i z. Berisha dhe kurthi i z. Meta ndërkohë që njerëzit prej kohësh prisnin protesta. Unë besoj se do të jetë e vështirë vijimi i një proteste tjetër sepse do angazhim.

Gjëja më shqetësuese për mendimin tim ishte përpjekja për ti dhënë formë. Ju e patë regjia me një superpoltron, me një vend që më shumë flet sa i përket formës. Të njëjtën mënyrë zgjedh dhe Rama përballë njerëzve të tij. Më shumë solli realitetin për tu thënë njerëzve se të dy këta përfaqësues të opozitës kanë mundësi të mobilizojnë njerëzit  e tyre," tha ai.