Gjykata e Beratit cakton masën “Arrest me burg” për 11 të arrestuarit për fermën e kanabisit

Drita dhe Izmira Mema, nënë e bij tentuan ta fshehin fytyrën kur mbërritën në Gjykatën e Beratit që i la në burg pa afat, sikurse kryefamiljarin Bashkimin dhe djalin Edisonin për fermën ku kultivohej e përpunohej kanabis në fshatin Rerëz të bashkisë Dimal.

Në qeli deri në përfundim të hetimit mbetën edhe Hamdi Dyli, Jurgen Ujkaj, Sidrit Bisha, Blerim Xheka, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Samoel Lushaj, që plotësojnë numrin e 11 të arrestuarve të operacionit “Stuhia”

Të gjithë do të përballen me akuzat “Prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtje pa leje”, pasi Gjykata rrëzoi atë për “Grup të strukturuar kriminal”, ç’ka detyronte që çështja ti kalonte për hetim SPAK.

Katër anëtarët e familjes Mema nga Kamza dyshohet se ishin organizatorë të veprimtarisë kriminale, ku nënë e bijë kishin rekrutuar  95 punëtoret e hashashit, të cilat po hetohen në gjendje të lirë nga prokuroria e Beratit.

Këto të fundit në dëshmitë e para thanë se ishin punësuar për të vjelur ullinj, por më pas nën kërcënim dhe shantazh ishin detyruar të punonin me hashash.

Burime thonë se ka qenë një telefonatë me familjarët e njërës prej punëtoreve ku ajo shprehte shqetësim se era e rëndë e kanabisit po e sëmurte që çoi më pas në zbulimin e serave ku rritej dhe përpunohej kanabisi.

Operacioni u finalizua më 10 Nëntor me shoqërimin e 95 grave që u gjetën duke pastruar boçe kanabisi dhe arrestimin e 11 organizatorëve.

Gjatë aksionit u sekuestruan 700 arka me kanabis në proces përpunimi dhe 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa gati për tu trafikuar.

Gjykata e Beratit cakton masën “Arrest me burg” për 11