Berisha dhe Meta: Rama para drejtësisë! Ndërkombëtarët mos ta mbështesin!

Sali Berisha dhe Ilir Meta thanë se Serbia po merr portin e Durrësit ndërsa shkollat në Shqipëri mbyllen me urdhër nga Turqia për shkak të Aleancës së Edi Ramës me Vuçiçin dhe Erdoganin. Nga protesta e thirrur në Tiranë, krerët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, paralajmëruan përballjen e kryeministrit me drejtësinë për aferën e incineratorëve dhe përdorimin e parave publike për avionin luksoz me të cilin udhëton jashtë vendit. Meta e cilësoi Ramën si fajtor për emigrimin masiv të shqiptarëve ndërsa Berisha kishte një mesazh edhe për aleatët.

Nga tubimi i thirrur në Tiranë, Sali Berisha dhe Ilir Meta fajësuan kryeministrin Edi rama dhe qeverinë si shkaktarët kryesorë për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi

Meta: Rilindja ka vetëm një axhendë: Vidh, shpopullo!

Po godet shtresën e mesme, duke i detyruar të ikin nga vendi, nuk kurseu as profesioniet e lira.

Berisha: Mediat e Britanisë dhe Europës kanë shkruar se shqiptarët ikin nga varfëria. Kjo është vetëm aparenca, vërtetë janë më të varfërit në Europë, por ata janë njerëzit më të vjedhur të Europës e planetit.

Meta tha se Kryeministri e ndjek protestën nga çarteri luksoz që paguan me taksat e qytetarëve, ndërsa Berisha akuzoi qeveritarët për abuzim flagrant me fondet publike.

Meta: Sot tradhëtori e ndjek këtë protestë nga çarteri luksoz dhe i paligjshëm.

Berisha: Ai udhëton me çarter luksoz, me dhomë gjumi. Ministrat e tij porosisin bifteqe 1 mijë dollarësh.

Meta tha se Tirana është qyteti i parë në botë për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve.

Meta: Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që s'kanë mundësi të paguajnë, ata që nuk paguajnë energjinë por nuk vepron ndaj drejtorëve që vjedhin miliarda. Arreston nënën 82 vjeçare për një kotec pa leje por garanton amnisti për katet pa leje mes Tiranës.

Ndërkohë kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi direkt Ramën për aleancë me Vuçiçin dhe Erdoganin kundër interesave të shqiptarëve.

Berisha: Vendimet për shqiptarët merren në Beograd dhe Ankara. Shkollat mbyllen. Vëllezërit Karriç merrin portin e  Durrësit.

Duke akuzuar Kryeministrin si shkatërrues të demokracisë në vend përmes vjedhjes së votave, Berisha kishte një mesazh edhe për aleatët e BE-SHBA dhe NATO-s.

Berisha: Sot u bëj thirrje mos mbështesni regjimin e Edi Ramës. Sepse ai është armik i votës së lirë të shqiptarëve.Çdo mbështetje për të është dështim për shqiptarët.Shqipëria s'do të ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij Meta paralajmëroi se Kryeministri do të përballet me drejtësinë për abuzimet me incineratorët, ndërsa duke iu referuar përplasjeve të fundit me opozitën dhe fjalorit të Ramës në Kuvend, Berisha paralajmëroi reagim të fortë.

Berisha: Po të komunikoj sonte këtu, vendimi është marrë dhe është tjetër, tek ti do vijë gjykatësi Sovran, do vijnë këta burra e gra, priti aty se i kanë dy fjalë me ty. Edhe populli i ka dy fjalë me ty.

Protesta u mbyll me thirrjen për të ndezur qirinj në dyert e Kryeministrisë për Ardit Gjoklajn, Klodian Rashën dhe Lear Kurtin, por lëvizja e protestsuesve drejt Kryeministrisë shkaktoi përplasje me policinë.

Pas çarjes së kordonit, policia ndërhyri duke ndaluar një prej protestuesve.