Ikin dritat gjatë protestës, organizatorët akuzojnë Ballukun e Veliajn: Duan të mos dukemi!

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë zhvilluan protestën e parë së bashku në bulevardin e Tiranës që u mbush me mbështetës të opozitës. Organizatorët akuzuan zv.kryeministren Belinda Balluku dhe kryebashkiakun e Tiranës për fikjen e dritave me qëllim që pjesëmarrja masive të mos vërehej. Ilir Meta tha se kjo protestë është edhe për mbylljen e mediave të lira ndërsa Jozefina Topalli e shikon tubimin e opozitës si pikë kthese për zhvillimet politike në vend.

Protesta e thirrur nga opozita mblodhi në Tiranë qytetarë nga të gjitha rrethet e vendit.

Ora shënonte 16:23 kur kryetari i PD, Sali Berisha i ndjekur nga mbështetësit e tij doli nga selia blu dhe u nis drejt sheshit para Kryeministrisë.

Disa minuta më vonë, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u nis për t`iu bashkuar protestës.

Korrupsioni galopant rritja e taksave për biznesin, braktisja e vendit, mbyllja e mediave të lira dhe varfëria, janë sipas Metës arsyet kryesore për të protestuar.

"E ka kaluar gjithë krizën në kurriz të pensionistëve, punonjësve të administratës, biznesit që i ka shtuar taksa të reja që të paguajë luksin e tij të jashtëzakonshëm. Nuk ka më gjumë, një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë. I mbyllin kopshtin e fëmijës, i mbyllin shkollën e fëmijës, i mbyllin mediat e lira."

Pak minuta pas orarit zyrtar të protestës, bulevardi qëndror i Tiranës u pushtua nga mbështetësit e opozitës nga sheshi "Skënderbej" deri tek sheshi "Nënë Tereza".

Ikin dritat gjatë protestës, organizatorët akuzojnë Ballukun

Organizatorët e protestës akuzuan disa herë Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn se fikën ndriçimin publik për të penguar dukshmërinë e numrit të protestuesve të mbledhur në mbështetje të opozitës.

"Erion Veliaj i fiku dritat se i tha Rama nuk dua ti shoh."

Në mbështetje të protestës ishte edhe ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli, e cila tha se ky tubim shënon një pikë kthese ndërsa shpreh besimin se Tirana i ka paraprirë momenteve kyçe në historin e vendit.

"Tirana ka qenë gjithmonë ajo që ka lëvizur themelet e regjimeve. Edhe në këtë rast do jetë Tirana që do ti japë theksin themel kësaj proteste që do jetë fillimi i një lëvizje të madhe protestash".

Ikin dritat gjatë protestës, organizatorët akuzojnë Ballukun

Gjatë protestës, në tribunë për të folur u ngritën përfaqësues të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, personalitete nga emigracioni, përfaqësues të studentëve e pedagogëve si dhe sipërmarrës që denoncuan gjobat dhe politikat e gabuara të qeverisë.