Babë e bir, “fermerë” kanabisi, kultivonin e përpunonin bimë narkotike në Gracen të Elbasanit
Babë e bir u arrestuan në Gracen të Elbasanit pasi kultivonin e përpunonin kanabis sativa. Në pranga përfunduan dhe kryeplaku i fshatit dhe administratori I njësisë që nuk denoncuan këtë veprimtari.
Babë e bir Selim dhe Zamir Beqari, 62 dhe 27 vjec ishin kthtyer në fermerë të bimëve narkotike në fshatin Bodin të Elbasanit.
Bashkë kultivonin e përpunonin kanabis sativa.
Në tokat e familjes Beqari në fshatin Bodin të njësisë Gracen të Elbasanit u zbuluan 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Ndërsa në ambiente të tjera u gjetën 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Selim dhe Zamir Beqari u vunë në pranga në kushtet e flagrancës me akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Dy persona të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë për të njejten veprimtari.
Kultivimi dhe përpunimi I bimëve narkotike u kushtoi prangat dhe kryeplakut të fshatit Bodin dhe administratorit të njësisë administrative të Gracen në Elbasan.
Ramiz Beqari, 62 vjec dhe Fadil Salla, 58 vjeç u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”
Një tjetër banor po hetohet në gjendje të lirë për moskallzim të parcelave të drogës në Gracen.
Të ashtuquajturat Shtëpi bari dhe parcelat e vogla në zonat e thella malore, janë konfirmuar nga operacionet e policisë së Shtetit si mënyrat kryesore të kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri.
