Protestë për krizën e shpopullimin, qytetarët me gomone drejt Kryeministrisë

Kriza ekonomike, shpopullimi i vendit nga qytetarët që po detyrohen të ikin me gomone në Angli në vitin 2022 dhe afera e korruptive e incineratorëve, ishin disa nga pankartat dhe simbolikat e protestës së opozitës përballë Kryeministrisë. Qytetarët thanë se përveç largimit të shumicës së familjarëve jashtë vendit, ata që mbeten këtu po përballen me rritjen galopante të çmimeve.

Braktisja e vendit nga emigrimi masiv, rritja e çmimeve dhe problemet ekonomike duket se janë shqetësimet kryesore të qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes së opozitës për protestë.

Një gomone që simbolizon fluksin e shqiptarëve të larguar drejt Britanisë së Madhe, u kthye në simbolin e protestës.

Disa të rinj mbajtën në duar mjetin lindrues që simbolikisht u zhvendos nga oborri i Partisë Demokratike drejt zonës përballë Kryeministrisë

Një tjetër pjesëmarrës në protestë me pankarta në duar ku paraqitet Kryeministri në formën e oktapodit mbi hartën e Shqipërisë, thotë se e gjithë familja e tij ka ikur jashtë.

"Më ka ikur e gjithë familja jashtë shtetit."

Protestues të tjerë fajësuan qeverinë aktuale për rritjen e çmimeve dhe për faktin se jetesa është bërë e papërballueshme.

"Na rrejti me 3 mijë lekë të vjetra, as një kilogram vajë jo."

Nga ana tjetër në protestë ishin prezente edhe simbolikat për Teatrin Kombëtar me kërkesën për rindërtimin e tij aty ku ka qenë dhe në të njëjtën godinë siç ka qenë.

Të tjera pankarta kishin të bënin me binomin Rama-Veliaj dhe çështjen e incineratorëve, me 420 milionë euro dëm ekonomik.

Simbolikat e protestës kanë shigjetuar kryeministrin dhe qeverinë edhe për krizën energjitike dhe rritjen e çmimit të energjisë.