Meta: Shqiptarët po largohen sepse Rama po grabit buxhetin me koncesione, PPP e tendera sekrete

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur në protestën e organizuar nga opozita mbrëmjen e sotme u shpreh se nga Shqipëria po ikin 12 herë më shumë sesa në vendet e tjera në rajon.

Sipas tij, miliardat e buxhetit po grabiten me koncesione, PPP e tendera sekrete me dhjetë fishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët.

Meta: Përse ikën një qytetar nga Serbia për 1 mijë banorë, ndërsa ikin 12 nga Shqipëria, sepse në Shqipëri një km rrugë e re kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi, dhe 8-10 herë më shtrenjtë se në BE. Përse çmimi i naftës në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë është shumë më i ulët se në Shqipëri, e cila prodhon naftë? Përse vaji, mielli, buka, ushqimet bazë të mbijetesës janë shumë më të lira në Maqedoni e Kosovë se sa në Shqipëri?

Përse qytetarët e Peshkopisë, e Maqellarës, apo të Pogradecit i blejnë ushqimet në Maqedoninë e Veriut, ku janë shumë më lirë edhe pse pagat atje janë shumë më të larta se sa këtu. Sepse miliardat e buxhetit po grabiten me koncesione, PPP e tendera sekrete me dhjetë fishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët. Sepse qindra milionë euro të ardhura që vijnë nga rritjet e çmimeve, gllabërohen nga PPP pa fund dhe asnjë lek ndihmë nuk u jepet qytetarëve. Mbi shpatullat e qytetarëve bie pesha e borxhit shumë të rëndë publik që ka arritur gati 14 miliardë Euro, që po e çon vendin drejt greminës financiare.