Mbi 1 mijë efektivë në terren për protestën, policia rrethon Kryeministrinë, nis grumbullimi
Forca të shumta të policisë kanë pozicionuar përreth Kryeministrisë. Ndërkohë ka nisur dhe grumbullimi i protestuesve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Mbi 1 mijë efektivë të të gjitha strukturave të policisë janë në terren, shumica e të cilëve do të përqëndrohet rreth e rrotull godinës qeveritare për të ndaluar çdo tentativë për dhunim të institucioneve shtetërore.
Protesta e opozitës është mbarëkombëtare prandaj pritet të ketë pjesëmarrje masive.
Tubimi nis në orën 16:00 por nuk dihet sesa do të zgjasë. Opozita ka deklaruar se fatin e protestës do ta përcaktojnë qytetarët që do mbushin sheshin para Kryeministrisë.
Prej 45 minutash janë bllokuar disa segmente rrugore, përkatësisht bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D'Ark" dhe bulevardi "Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

