“Zhdukja” e orëndreqësve, Nazif Kadilli 55 vjet duke ndrequr ora
Zanati i orëndreqësit dikur ka qenë ndër më të lakmuarit, por tanimë duket se pakkush dëshiron që të mësojë atë.
Teknologjia, dhe pajisjet inteligjente kanë zbehur dëshirën për tu bërë orëndreqës, ndërsa Ora News, sjell historinë e Nazif Kadillit i cili prej 55 vitesh, çdo ditë ndreq orë në Pogradec.
Prej 55 vitesh Nazif Kadilli bën të njëjtën punë çdo ditë.
Sot është 77 vjeç, ndërsa gjithë jetën e tij ia ka kushtuar orëve.
Ndër të paktët orëndreqës në Pogradec, ai thotë se në të shkuarën puna ka qenë më e vështirë.
“Atëhere ka qënë më e vështirë për të punuar. Tani është më e lehtë puna se bëhet me qarqe, bëhet me makineri të reja. Vijnë pjesë këmbimi për makineri të reja,” tha ai.
Dikur ora ishte domosdoshmëri thotë orëndreqësi, ndërsa sot është më shumë lluks.
“Ora atëherë, ishte shumë e vlefshme, shumë me kimet, sepse të gjithë njerëzit ishin të inkuadruar në punë shteti dhe kërkohej orar. Duhej ta rregullonte orën me patjetër ai. Ti rregulloje një orë tjetër, sikur kushedi se çfarë i bëje. Kurse sot, sot i duan, nga gjendja ekonomike e mirë kërkon një orë të mirë,” tha ai.
Thotë se zanatin e trashëgoi nga babai, ndërsa shprehet i trishtuar se atë nuk mund tja trashëgoi djalit të tij, pasi ai ka zgjedhur rrugën e shumë të rinjve shqiptarë, emigrimin.
“Ka mësuar djali, po s’do ta ushtrojë. Ka shkuar në Gjermani. Më vjen keq është e dhimbshme. Mua me vjen keq 1 ditë mos dal në punë, më vjen shumë keq,” tha ai.
Orëndreqësit kanë qenë dikur ndër profesionet më të lakmuara, ndërsa sot teknologjia dhe mungesa e domosdoshmërisë për të pasur një orë dore, e ka zbehur këtë zanat tek brezi i ri.