Falsifikimet në Kadastër tashmë të pamundura me dixhitalizimin
Kadastra është vënë në lëvizje, pas tentativave për të falsifikuar dokumentet. Kreu i këtij institucioni Artan Lame theksoi se një veprim i tillë tashmë është i pamundur, kjo nga efekti i dixhitalizimit.
“Për sa kohë që ishte hipoteka e vjetër, që ishte e bazuar tek ato regjistrat letër, që ne i kemi denoncuar, ku mund t'ja grisje pronën Lenës dhe t'ja ngjisje Prenës. Me dokumenta të tilla edhe mund të jepnim përfitim,” tha Artan Lame.
Për shkak të kalimit në këtë sistem çdo tentativë zbulohet dhe bllokohet, pasi edhe individët që bëjnë ndërhyrjen identifikohen.
“Askush nuk e korrupton dot kompjuterin, dhe ta jep menjëherë, kur ka diçka që nuk shkon. Dhe e dyta komjuteri lë shenjë, që do të thotë, që çdo veprim e bërë në kompjuter, ka një orë, një minutë, një sekondë dhe datë,” tha ai.
Tentativat për falsifikimin, janë si për vulën por edhe kodin e posaçëm.
“Për shembull, këtu kemi një rast, të një çertifikate pronësie, nga certifikatat e reja, që nga sistemi është kapur menjëherë, që ka mospërputhje datash, midis datës së firmës elektronike dhe datës së dokumentit. I gjithë kodi dhe vula, dhe firma elektonike, janë të një dokumenti tjetër,” tha ai.
Prej muajit maj, në Shqipëri dokumentet mund të merren vetëm përmes e-albanias. Pas hapjes së llogarisë dhe kërkesës për to, institucioni i dërgon me vulën elektronike, që është e njohur prej të gjithë institucioneve.