Fakulteti në Shkodër kundër Rektores: Po na djeg fondet, nuk hap Doktoraturën!

Të martën pedagogët e universitetit "Luigj Gurakuqi" u rikthyen në protestë, këtë herë kundër strukturave drejtuese të këtij institucioni.

Shkak është bllokimi i procedurave të Doktoraturës që u miratua një vit më parë dhe rrezikon djegien. Ata kërkojnë që Rektorja Suzana Golemi të marrë masa pasi po bëhet pengesë dhe shkak për një skandal që i kalon kufijtë e vendit tonë.

"I kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme Rektores përcjelljen e rekomandimeve në Ministri duke i bërë të qartë faktin se do të digjet projekti i BE. Ndërkohë mbrëmë gjendemi para një fakti të ri të paprecedentë, ku Rektorja e Universitetit të Shkodrës i kërkon Senatit të miratojë me vendim cirkular që të gjithë pedagogët e miratuar për të qenë udhëheqës doktorature të eleminohen dhe të pranohen vetëm tre pedagogë si udhëheqës doktorature."

"Dua të shpreh keqardhjen për mënyrën sesi gjatë gjithë kohës jemi keqtrajtuar nga Rektorja e Universitetit të Shkodrës."

"Mos të vazhdojë më tej veprimet e saj antiligjore. Përveç djegies së fondeve të Europës ajo është duke vazhduar shkelje të tjera të ligjit të arsimit të lartë në vendin tonë."

Sead Baraku, është pedagog pranë Departamentit të Turizmit. Ai thotë se për shkaqe absurde po i mohohet  e drejta për të vijuar ciklin e tretë të studimeve.

"Prej 5 vitesh pres të më hapet procesi i Doktoraturës që unë të vazhdoj kualifikimet e mëtejshme. Prej 3 vitesh ky projekt më ka dhënë mundësinë që unë të bëhesha pjesë e një intershipi ku kisha mundësi të merrja pjesë në 2 prej universiteteve perëndimore, një fond që më jep mundësinë të marr një ekspertizë, një specializim në fushën e turizmit."

I vetmi arsyetim, që rektorja Golemi u ka dhënë është se Doktoratura duhet të jetë ndërdisiplinore, gjë e cila në bazë të shkresave të Ministrisë kundërshtohet pasi projekti i financuar është Doktoraturë në ekonomi dhe turizmin e qëndrueshëm.

Tre ditë më parë, 5 universitetet partnere të projektiti i drejtuan një shkresë Rektoratit ku kërkuan të merren masa të menjëhershme për hapjen e thirrjes drejt aplikantëve, ku afati i fundit është 14 nëntori.

Në të kundërt ky projekt do të digjet duke patur penalitete për Universitetin, i cili klasifikohet te lista e zezë e mospërfitimit të projekteve të tjera.

Reagimi i Rektoratit

Sqarim i opinionit publik në lidhje me reagimin e  stafit akademik të Fakultetit Ekonomik, përsa i përket programit të doktoraturës

Universiteti i Shkodrës më në krye prof. dr. Suzana Golemi ka 2 vite që punon intesivisht për hapjen e programit të studimit të doktoraturës edhe pse bëhet fjalë për një projekt të inicuar prej 6 vitesh por të mbetur vetëm në letër.                 

Falë insistimit të vazhdueshëm të prof.dr. Golemi sot jemi drejt finalizimit të këtij programi, por sqarojmë se hapja është shoqëruar me disa rekomandime nga MAS, shkresa nr 1848/3 që mbajnë datën 04.04.2022, për plotësimin e tyre në respektim të dispozitave ligjore ka një afat 24 mujor.                    

Me qëllim që doktoratura të jetë në përshtatje me qëllimin e hapjes së saj, është punuar fort duke dakortësuar dhe  me drejtuesit e projektit të cilët kanë qënë dhe inicuesit kryesorë për rregullimin dhe përshtatjen e dokumentacionit në mënyrë që të plotësohen si duhet rekomandimet e lëna nga MAS.

Vendimi i Senatit i trajtuar në media nga ana e Fakultetit Ekonomik, Shkodër, ka qënë një nevojë e domosdoshme për të plotësuar dokumentacionin sipas disa kërkesave ligjore, në lidhje me stafin udhëheqës të programit të doktoratës, shkresa nr. 1848/3, datë 04.04.2022, pika 2/b: “Të evidentohet qartë grupi i profesorëve që kanë kërkime shkencore dhe ekspertizë specifikisht në fushën e turizmit të qëndrueshëm, që do të mbështesin zhillimin e programit dhe udhëheqjet e doktorantëve”, kërkesa këto të parealizuara si duhet nga Fakulteti Ekonomik.

Pozicioni i Rektores është jo vetëm firmosja verbërisht e dokumentacionit, por dhe verifikimi i tyre në mënyrë që ky program të marrë rrugën e duhur dhe studentët aplikues të mbështeten e të udhëhiqen nga staf akademik i profilizuar sipas rekomandimeve të lëna nga MAS.

Sanksionet financiare nuk duhet të jenë kusht për asnjë staf akademik apo staf drejtues të USH-së që të sakrifikojë përmbajtjen apo cilësinë e programit të studimit, përkundrazi, ato duhet të na motivojnë të punojmë fort për të vënë në jetë një projekt serioz i cili të sjellë një impakt të duhur publik dhe të jetë i prekshëm për çdo student çka është dhe interesi i vërtetë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Aktualisht, i gjithë dokumentacioni gjendet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me të cilën USH ka një mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, çka provohet me hapjen e 14 programeve të reja të studimit në dy vite akademike. Jemi në pritje te finalizimit të këtij program nga ana e saj.