Porti i Durrësit, port droge! Gjatë vitit 2021 u kapën 11 ngarkesa me mbi një ton kokainë

Porti i Durrësit është kthyer në një pikë kyçe në trafikimin e lëndëve narkotike. Vetëm për vitin 2021 policia ka identifikuar 11 ngarkesa me kokainë të mbërritura në vëndin tonë për përpunim e konsumim në tregun e brendshëm apo për tranzitim në vendet e tjera. Këto ngarkesa në total kapin shifrën e mbi 1 ton kokainë, ndërkohë që të implikuar kanë qenë edhe punonjës të policisë.

Porti i Durrësit është kthyer në një pikë strategjike për grupet kriminale për të trafikuar sasi të mëdha të lëndës narkotike kokainë nga Amerika Latine drejt vendit tonë, me destinacion tregun e brendshëm ose tranzitimin e saj në vende të tjera.

Gjatë vitit 2022, policia e Durrësit ka arritur të zbulojë 3 ngarkesa më kokainë në konteniere me fruta ekzotike të nisura nga Ekuadori.

Këto tri ngarkesa të nisura në kohë të ndryshme sipas policisë kanë përshkruar të njëjtin itinerar lëvizje derisa kanë mbërritur në portin e Durrësit. Pesha totale e kokainës së kapur për këtë vit arrin në 138 kilogramë.

Shifra rekord ka kapur viti 2021, ku gjatë kësaj periudhe janë dokumentuar në portin e Durrësit 11 ngarkesa të ndryshme të cilat vinin nga Amerika Latine.

Totali i tyre ka kapur shifrën 1 ton e 77 kg kokainë. Policia thotë se trafikantët që sjellin kokainë në vendin tonë duke u hequr si biznesmenë kanë arritur të korruptojë punonjës të portit me qëllim kalimin e kontenierëve në skaner.

Vetëm kompania e bananeve Alba Exotic Fruit ka arritur të fusë në vendin tonë 5 ngarkesa me drogë.

Kokaina ishte instaluar kryesisht në pjesën e tavanit dhe në pjesë frigoriferike të kontenierëve me qëllim shmangien e kontrolleve.

Një tjetër kompani në ngarkesat e të cilës është kapur kokainë, është edhe Bana King, pronari i të cilës është shpallur në kërkim për rastin e ngarkesës me 33.5 kg kokainë të zbuluar pak ditë më parë.

Rasti më flagrant është ai i vjedhjes së arkave të dyshuara me kokainë nga kontenierët që ruheshin brenda portit të Durrësit më 17 korrik të këtij viti.