Sulmet kibernetike, PD kërkon garanci për zgjedhjet

Në Komisionin e Ligjeve, ku u shqyrtua buxheti për KQZ-në, Opozita ngriti shqetësimin e sulmeve kibernetike, ku theksoi se institucioni duhet të kishte kërkuar më shumë fonde për mbrojtjen e sistemit teknologjik. Për demokratët një sulm kibernetik disa ditë para zgjedhjeve do të kishte pasoja të mëdha.

Në kushtet kur vendi ndodhet prej muajsh nën një sulm të paprecedentë kibernetik, ku nën akuzë është qeveria e Iranit, Opozita i kërkon llogari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për masat e marra për mbrojtjen e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e 14 majit.

Në Komisionin e Ligjeve ku u shqyrtua projektbuxheti për vitin 2023 për KQZ-në, deputetja demokrate Dhurata Çupi tha se një sulm kibernetik disa ditë para zgjedhjeve do të kishte pasoja të mëdha për vetë zgjedhjet.

"Nuk u dëgjova për masat, çfarë masash keni marrë për garantimin e sistemit elektronik? Një sulm kibernetik, siç po ndodh në portalet kryesore të institucioneve shtetërore, në KQZ në listën e votuesve dhe ditën e votimit do ishte me pasoja jashtëzakonisht të rënda për procesin zgjedhor."

Në përgjigje të këtij shqetësimi, sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, deklaroi se nuk ka vend për panik.

"Kemi parashikuar që të pajiset KQZ me një ISO për sulmet klibernetike. KQZ do pajiset me certifikatë për teknoplogjionë dhe sigurinë e mbrojtjes së të dhënave të shtetasve në zgjedhje."

Në seancën dëgjimore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi nga qeveria një fond shtesë prej 89 milionë lekësh nga buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm, për të mundësuar investime në teknologji, në pagat e punonjësve, por edhe për tavolina e karrige.