Pas dështimit për tu bashkuar, PD zyrtare nis procesin e ristrukturimit

Partia Demokratike nuk ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit.

Pas dështimit të negociatave mes dy grupeve përfaqësuese të PD,  Partia Demokratike zyrtare ose ndryshe grupi përfaqësues i Alibeajt ka nxjerrë një udhëzim  për të gjithë degët e PD  për të nisur procesin e ristrukturimit të strukturave me qëllim plotësimin dhe rivitalizimin e këtyre strukturave.

Mbledhja është mbajtur më datë 4 Nëntor 2022 por udhëzimi u bë publik ditën e sotme.

Në udhëzim thuhet se mbështetur në ligj “Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 4 Nëntor 2022, me qëllim plotësimin dhe vitalizimin e organeve drejtuese të Degëve të PDSH-së; dhe promovimin e anëtarëve të gatshëm për të marrë përsipër përgjegjësi për sfidat e ardhshme elektorale dhe politike të PDSH-së."

Nisjen e procesit të ristrukturimit të organeve drejtuese do të bëhet në nivel lokal në të gjitha Degët e Partisë.

“Nënkryetar dhe Sekretariati, brenda datës 20 Nëntor 2022;

Kryetar dhe sekretar Grupseksioni, brenda datës 1 Dhjetor 2022;

Koordinator për organizimin e FRPD, brenda datës 1 Dhjetor 2022;

Koordinator për organizimin e LDG, brenda datës 1 Dhjetor 2022;

Kryetar dhe sekretar Seksioni, brenda datës 15 Dhjetor 2022.”

Dega e Partisë do të kryejë organizimin territorial të strukturave në nivel Seksioni, Grupseksioni dhe Dege. Gjithashtu dega e Partisë për çdo qendër votimi (QV) mëmë duhet të ketë minimalisht një seksion, ku plotësohet secila me kryetarin dhe sekretarin përgjegjës për QV.

Dega e Partisë në mbledhjen e parë do të marrë masa për organizimin e procesit.

Janë ngarkuar në detyrë Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati Organizativ, dhe Degët e PD-së, për ndjekjen dhe zbatimin e udhëzimit.