Burimi për Rtv Ora: E paimagjinueshme të mendosh se kjo e mirë publike nesër mund të humbasë
Analisti, Genc Burimi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Kostana Morava shprehu solidaritetin me gazetarët e këtij televizioni një ditë pas kalimit të tij në administrim nga shteti.
"Në radhë të parë ndjehem solidar me ju, është një situatë vërtet e sikletshme. Për mua nuk ka precedent. Të mendosh se kjo e mirë publike nesër mund të humbasë është diçka e paimagjinueshme".
Duke u ndalur te vendimi, ai thotë se nëse drejtësia ka vepruar nën presion demokracia është në rrezik.
"Në dallim me precedentin Agon që ishte vendim i drejtëpdrejtë i qeverisë, i ekzekutivit, në rastin e këtij televizioni problemi komplikohet se nuk është vendim i qeverisë por i drejtësisë. Këtu rrugët ndahen, ose ne sot si gazetarë do të themi se nuk kemi besim te kjo drejtësi dhe në këtë rast të harrojmë qeverinë.
Kjo drejtësi nëse nuk i reziston këtij presioni sot do të jetë po ashtu dhe nesër. Rruaza jonë e bardhë që është drejtësia nuk po funksionon nëse sot ne pranojmë që ky televizion po mbyllet në mënyrë të padrejtë".
Ai shton se Rama dhe Veliaj në një demokraci nuk janë të përjetshëm por drejtësinë e kemi të përjetshme.
"Reforma e miqve tanë amerikane dhe europianë na e futi këtë drejtësi të re në Kushtetutë. Jemi i vetmi vend në botë. Kjo drejtësi sot nëse është nën presion në këtë farë pike sa të mbyllë një televizion, demokracia është sot në rrezik".
Analisti Burimi thekson se mbyllja e një televizioni është diçka e pazakontë dhe sipas tij duhet medeomos të sensibilizohet opinioni publik ndërkombëtar për disa vlera që janë të përbashkëta.
