Flakët po përhapen, prej dy ditësh vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në “Gurin e Carpit” dhe në “Dardhë”
Vazhdojnë të jenë prej dy ditësh aktive vatrat e zjarreve në zonën e mbrojtur të Bredhit të Drenovës në afërsi të Gurit të Cjapit.
Terreni i thyer malor e bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse ndaj edhe për këtë prej shumë orësh forca të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor dhe punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë Korçë janë duke punuar në terren për izolimin e flakëve.
Era e fortë nuk i favorizon punonjësit duke e bërë të vështirë izolimin e vatrave. Nga ana tjetër vatrat e zjarrit në pikën turistike të Moravës janë shuar plotësisht që në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Burime bëjnë me dije, se punonjësit e bashkisë janë duke mbajtur nën kontroll edhe vatrat e zjarreve edhe në pyjet e fshatit turistik të Dardhës.
Në terren janë të angazhuara edhe forcat e ushtrisë, kryesisht në zonën e mbrojtur të Bredhit të Drenovës, atje ku situate paraqitet më e vështirë.
Në të dy rastet e zjarreve policia ka filluar hetimet, pasi ka dyshime se zjarret kanë qenë të qëllimshme.
