Çollaku: Ky pushtet nuk e pranon median e lirë, ajo që ka ndodhur me Rtv Ora është kriminale

Gazetari, Basir Çollaku, thotë se media dhe qeveria janë gjithmonë në një luftë të pandërprerë por tashmë kemi një regjim që në mënyrë të pandërprerë kërkon të jetë kryeredaktori, drejtuesi dhe botuesi dhe hartuesi i të gjithë edicioneve informative, programeve, investigimeve.

"Kemi një ERTV dhe nëse një media e caktuar del jashtë këtyre binarëve, kësaj linje editimi që nuk përbën oreksin e kryeministrit dhe pushtetarëve aktualë atëherë tatimorët, prangat, prokuroria  janë në aksion dhe shërbim të kryeministrit dhe qeverisë. Janë në vrapin e tyre për të marrë peng fjalën e lirë, lirinë e shtypit, Kim Jong Un do ta kishte zili këtë sjellje të kryeministrtit Rama".

Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj për konfiskimin e televizionit ai thotë se rasti i Rtv Ora është ekstrem.

"Ky pushtet nuk e pranon median e lirë. Ajo që ka ndodhur me Rtv Ora është sa kriminale aq dhe një lloj genocidi ndaj medias së lirë".

Sipas tij, të mbyllësh një televizion është si të lajmërohesh zyrtarisht se je në diktaturë.

"Këtë po bën  Edi Rama. Këtu kemi dhe instrumentin e përdorur prej tij, kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Edhe në rastin e Agon Chanel ishte i njëjti që nisi sulmin. Ky është shtet piramidal dhe sillet si i tillë".

Ai paralajmëron se nëse nuk ka reagim, "nesër është radha e gjithësecilit prej nesh të përballet me të njëjtën sjellje sepse kemi të njëjtin regjim përballë".