U akuzua për dhunë, mësuesi në Bilisht mohon akuzat dhe drejton gishtin nga kolegët
Mësuesi i Gjuhës Angleze në Shkollën “Dritëro Agolli” në Bilisht, Alban Fetolli, i cili është denoncuar nga prindër e nxënës për dhunë ka mohuar akuzat ndaj tij.
I kontaktuar në telefon ai thiotë se çdo gjë është e stisur nga kolegët e tij.
"Unë kam 30 vjet që punoj dhe kontribuoj ne arsim dhe kurrë nuk kam pasur probleme të tilla edhe në kohën kur kam qenë drejtues i ZA Devoll apo pozicione të tjera, nuk kam pasur probleme kurrë me kolegët aq më tepër me nxënësit. Prej 30 vitesh punoj me pasion për edukim, nuk kam pasur kurrë as thyerje displinore apo vërejtje për punën time. Jam i bindur se akuzat janë të stisura nga kolegë, të cilët keqpërdorin fëmijët, koha do ti vërtetojë” tha Fetolli.
Ndërsa i pyetur se çfarë rruge do të ndjekë për personat dhe kolegët që dyshon, nëse do i kallëzojë penalisht për shpifje apo jo, Fetolli shprehet se është duke e menduar këtë të gjë, por ende nuk e ka vendosur.
Megjithatë ai këmbëngul se koha do t’i japë të drejtë dhe se në këtë rrugë tashmë ka gjithë mbështetjen shumicës së kolegëve, të cilët e kanë kontaktuar gjatë gjithë ditës.
