"Rtv Orën e mbyllën lali Eri me Ramën", Demalia: Shqipëria, një diktaturë e veshur me karnavalet e demokracisë
Analisti, Ilir Demalia, thotë se Shqipëria është në një diktaturë të veshur me karnavalet e demokracisë.
Në një intervistë në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma për konfiskimin nga shteti të televizionit, ai thotë se qëllimi i Rtv Ora ishte mosinformimi për aferat korruptive të qeverisë, për skandalet dhe për atë që ishte zëri i lirë i qytetarëve.
"Qeveria vendosi me gjyqtarë që janë llapëlëpirës të kryeministrit Rama dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Nuk ka ndodhur të dënosh një njeri për dyshime. Është kot të diskutosh, ka rënë shteti, drejtësia, fjala demokraci. Nuk ka reagim të shoqërisë civile, nuk ka reagim të mediave. Mbrëmë ishte skandal. Janë një diktaturë e veshur me karnavalet e demokracisë".
E ndërsa drejtësia veproi me zell të madh ndaj televizionit, nuk e sheh të njëjtin zell për aferat e zyrtarëve, posaçërisht ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, kur raporte ndërkombëtare njëri pas tjetrit e nxijnë kryeqytetin si lavatriçe e parave të krimit të organizuar.
"Si ka mundësi që çështje kaq të mëdha si kjo e lidhjes me Ndraghetën, pastrimi i parave, SPAK dhe BKH mbyllin sytë?"
Për Demalinë ky akt ishte një betejë e hapur e lali Erit dhe kryeministrit për ti mbyllur gojën medias sepse Ylli Ndroqi nuk u tërhoq para presionit, nuk u vu në dilemë nëse duhet apo nuk duhet të vazhdojë.
"Është fakt se asnjë televizion tjetër nuk ka qenë kaq i hapur për qytetarin dhe për të gjitha çështjet që ka pasur shoqëria civile. Për çdo ngjarje Ora ka qenë atje. Ky është vendim i Erion Veliaj dhe Edi Ramës për të kërcënuar një media që nuk po e fuste dot nën sundim".

