Elbasan: Ullinj e vaj plot, punëtorë e treg pak
Mungesa e tregut dhe çmimet e cilësuara të ulëta janë dy shqetësime të vjetra për kultivuesit e ullirit në qarkun e Elbasanit. Por vitet e fundit, kultivuesit nuk po gjejnë më as punëtorë, çka po detyron të moshuarit të rikthehen në punë.
Prodhimi i ullinjve këtë vit në Elbasan ishte i mbarë, por kultivuesit thonë se po vuajnë për ti vjelur.
Punëtorë nuk gjejnë për shkak të largimit masiv të të rinjve nga zonat rurale.
“Nuk ka punëtor. S'ka punëtorë, nuk gjen, jo në lagje por as në fshat nuk gjen. Prodhim ka por s'ka punëtorë ti mbledhim, sepse kanë ikur jashtë shtetit. Rinia u largua e gjithë, s'ka rini më. Kanë ngelur moshat e treta” thanë fermerët.
Në këto kushte të moshuarit e mbetur vetëm thonë se janë detyruar ti kthehen punës.
“Ska njeri kush ta mbledhi” tha e moshuara.
Për fabrikat e përpunimit të ullirit për vaj, është sezoni i punës me kohë të plotë.
Kur marrin vajin, fermerët nisin sfidën tjetër.
Largimin e banorëve e ndjejnë edhe tek vështirësia për të gjetur treg për produktin.
“Jo se nuk ble njeri, por nuk kan lek të blejnë, kush do blejë vaj ulliri ? Se ska dhe njerëz, po të ket njerëz po” tha fermeri.
Çmimin e vajit të ullirit, që fermerët e Elbasanit e reklamojnë mes më të mirëve e konsiderojnë të ulët.
“ 1 mijë lek po shitet bidoni i ujit, po shitet vaji 3 mijë lekë për litër. Ketu lekët i kanë qeveritarët, vijnë deputetët, vijne 10 minuta kërrcasin ikin, s'vijnë më, vijnë një herë në 4 vjet. Me 3 mijë lekë litrin, s'kam dal për të lyp, kush te doj te vij ta mar ose të blejnë vajin e kikirikut ” thanë fermerët.
Elbasani është një prej qarqeve me prodhimin më të lartë të ullirit në vend me rrreth 22 mijë tonë në vit.

