Minatori me Hepatit B në Bulqizë: Analizat me kosto të lartë, nuk bëhen në spital publik
Një ish-minator nga Fushë Bulqiza i diagnostikuar me Hepatitin B, denoncon se analizat e kushtueshme që i kërkohen për trajtimin e sëmundjes, nuk ofrohen në spitalet lokale dhe rajonale në qarkun e Dibrës. Agim Përkola kërkon nga ministria e Shëndetësisë, që të marrë masa dhe tu japë zgjidhje të gjithë të prekurve në qytetet e largëta, që hasin në vështirësi.
55 vjeçari Agim Përkola nga Fushë Bulqiza ka punuar për 33 vite në galeritë e minierës së Bulqizës, ndërsa pak vite më parë është diagnostikuar me Hepatitin B.
Kjo sëmundje po i kushton shumë ish-minatorit, pasi trajtimi ka kosto të mëdha ekonomike.
“Janë 6 analiza kosto shkon deri në 80 mijë lekë,” tha Agim Përkola.
Agim Përkola shprehet se i janë kërkuar që të bëjë disa analiza të cilat shkojnë rreth 80 mijë lekë, por ekonomia e tij familjare nuk e përballon dot, pasi ka vetëm pensionin e tij si minator, prej 30 mijë lekësh.
Spitali Rajonal Dibër thotë se i ka komunikuar se ka mungesë fondesh.
“Spitali i Bulqizës, drejtori i spitalit Azis Sjella më tha se këto analiza ,jo këtu që nuk bëhen, por as në Peshkopi nuk bëhen. Laboratori i Peshkopisë tha nuk i bëjme dotë këto analiza, sepse është munges fondesh,” tha Agim Përkola
Ish-minatori i bën apel qeverisë që të zgjidhë këtë problem shqetësues për të gjithë të prekurit nga Hepatiti B në qarkun e Dibrës.
“Të shikohen njerëzit që janë në hall, njerëzit që luftojnë me jetën, njerëzit që luftojnë me vdekjen. Unë sot aktualisht, nuk jam në gjendje t'i bëj këto analiza, arsye ekonomike, buxheti... Zoti kryeministër shikoje një herë punën time, se unë aktualisht i ndërpres. Prej këtij momenti ndërpriten analizat e mia dhe unë ndërpres ilaçet,” tha Agim Përkola.
Hepatiti B është një infeksion i rrezikshëm për mëlçinë dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike, çka u merr jetën rreth 780 mijë personave çdo vit sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Ssëndetësisë.
