Zhvarroset kufoma e paidentifikuar, dyshohet se është e Renit të Elbasanit

Burime nga prokuroria bejnë të ditur se rreth orëve të parë të mëngjesit të djeshëm (05:00 a.m), një grup prej 25 punonjësish të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar.

Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, i njohur ndryshe dhe si ”Reni i Elbasanit”.

Zhdukja e tij në 2014 vijon të mbetet një enigmë edhe sot.

Ka dyshime të forta se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.

Kjo dyshohet se ka qenë shkaku i rrëmbimit dhe më pas zhdukjes së tij.

21 vjeçari Renato Hamzai humbi kontaktet me familjen në 29 qershor 2014, ditën e diel, ku ishte nisur edhe për në Durrës.

Për herë të fundit sipas dëshmive u pa në shoqërinë e Denis Xhijës dhe Indrit Shaqës, aktualisht i dënuar me burg përjetë për një tjetër ngjarje kriminale.

8 vite më pas zhdukja e këngëtarit të tallavasë mbetet mister i pazgjidhur.