Përdhunoi në grup vajzën shqiptare, Brazili nuk miraton ekstradimin e Robinho-s
Brazili refuzon ekstradimin e ish-sulmuesit të Kombëtares, Robinho, i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali për përdhunimin e një vajze shqiptare në një klub të Milanos. I dënuar me 9 vjet për përdhunim në grup, Robinho duhet të shkojë pas hekurave.
Ministria Italiane e Drejtësisë, kërkoi zyrtarisht pak javë më parë nga Brazili ekstradimin e ish-lojtarit të kombëtares Selecao, një nga talentet më të mëdhenj të dekadave të fundit por përgjigja e ardhur në Itali është negative. Në këtë mënyrë, Robinho nuk do ta vuajë dënimin për gjestin e shëmtuar.
Vendimi në dëm të Robinhos është i formës së prerë pasi ai u shpall fajtor për përdhunimin e një 23-vjeçareje shqiptare natën e 22 janarit të vitit 2013 në një pub të Milanos. Robinho bashkë me shokun e tij, Ricardo Falco janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për këtë krim ndërsa mësohet se të dy ndodhen në Brazil. 38-vjeçari ka luajtur për 4 sezone me fanellën e Milanit në vitet 2010-2014.
