Vora me stadium të ri, përurohet kompleksi modern (VIDEO)

Skuadra e Vorës që militon në Kategorinë e Dytë dhe qyteti modest në zemër të Shqipërisë mund t’i gëzohen investimit më të fundit të FSHF-së që brenda një kohe rekord, në bashkëpunim me bashkinë, finalizuan projektin për ndërtimin e stadiumit.

Stadiumi u inaugurua sot përmes një ceremonie festive, që u zhvillua pak para ndeshjes inauguruese të Kategorisë së Dytë midis KF Vorës dhe Valbonës e ku ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, personalitete të shumta të futbollit dhe jetës publike si edhe qindra tifozë.

Armand Duka;

“Jam vërtetë i kënaqur që sot jam në këtë impiant të ri që realisht duket i pabesueshëm që mund të ishte në Vorë. Kam parë fotot e ndeshjeve të zhvilluara në këtë stadium shumë pak vite më parë dhe për fat të keq ishte një moçalishte e tërë. Më në fund Vora është futur në hartën e futbollit kualitativ dhe për këtë jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot këtu mes gjithë këtyre mbështetësve të futbollit.

Ky projekt është një bashkëpunim fantastik, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me Bashkinë e Vorës, me donatorë të tjerë, drejtuesit e klubit të Vorës, të cilët ishin iniciatorë të këtij projekti. Është një shembull i mirë që tregon se nëse bëhemi bashkë mund të bëjmë shumë gjëra të mira. Infrastruktura është prioritet tashmë i FSHF-së, por asnjëherë Federata e vetme nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Patjetër që duhet bashkëpunim e mbështetje nga të gjithë”.