VIDEO/ Real Madrid mbretëron në grup, kampionët kualifikohen si të parët, kalon edhe Leipzig
Asnjë surprizë, kampionët e Europës kalojnë në fazën tjetër të Champions League si të parët në grup, ndërsa një tjetër skuadër gjermane siguron biletën duke e kompletuar në 4/4 numrin e ekipeve të Bundesligës që sigurojnë vizën për në 1/8-at e kompeticionit më të rëndësishëm europian.
Reali i Madridit shkatërroi 5-1 Celtic në Spanjë ku Modric, Rodrygo, Asensio dhe Vincius diktuan ndeshjen për një fitore të pastër dhe pa shumë vuajtje. Me 13 pikë në klasifikim, “Los Blancos” evitojnë rrezikun e rrëzimit në vazon e dytë të shortit të së hënës ku do të ketë me siguri Leipzig.
Gjermanët fituan ndeshjen e drejtëpërdrejtë me Shakhtar Donetsk në Poloni me rezultatin 4-0 duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve. Nkunku, Silva dhe Szoboszlai i dhuruan 3 pikët Leipzig që lë pas Shakhtar në vendin e tretë në Europa League ndërsa Celtic rrëzohet në fund dhe largohet nga Europa.
