Kampionët kuqezi të U-17 vizitojnë “Shtëpinë e futbollit” (VIDEO)

Kualifikimi i Kombëtares U-17 në “Elite Round” që janë edhe finalet e kampionatit Europian të kësaj grup-moshe i ka hapur dyert e “Shtëpisë së futbollit”.

Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku që kaloi në grupin ku kishte skuadra të forta si Suedia, Kroacia dhe Uellsi, u prit nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka në një takim në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, për t’i uruar për suksesin e arritur, por edhe për t’i njohur me ambientet e kompleksit modern të ndërtuar në Tiranë, që do t’i shërbejë shumë pikërisht ekipeve kombëtare të moshave.

Armand Duka:

“Doja t’ju falënderoja për atë arritje të bukur në Europian, për t’ju inkurajuar që të vazhdoni kështu dhe e treta doja që ju të njiheshit me kompleksin e Shtëpisë së Futbollit, ku do të vazhdoni të stërviteni me synimin për ta çuar Shqipërinë në Botëror. Nuk është thjesht qëllimi për të kaluar në Elite Round, por duhet të rriteni në këtë kompleks, në fushat e tjera që po ndërtohen apo nëpërmjet të gjitha projekteve që ne po bëjmë, sepse ju jeni e ardhmja dhe ju duhet ta çoni Shqipërinë në Botëror.

Është shumë e rëndësishme të luash futboll, e rëndësishme është të jesh skuadër, për të qenë të bashkuar si grup dhe për të krijuar një atmosferë pozitive. Si ua thashë para sfidës me Uellsin, ua them edhe tani, jam shumë i lumtur për këtë arritje, sepse nëpërmjet fitoreve dhe kualifikimeve ju rriteni si skuadër, por objektivi ynë kryesor është që ju të rriteni individualisht dhe si skuadër që t’i shërbeni ekipit kombëtar, të bëhen profesionistë të zotë, për veten, për familjet tuaja dhe për fanellën kuqezi që mbani veshur”.