“Fushë e minuar” për të mëdhatë në shortin e UEFA Champions League
Në fazën e 1/8-ave të UEFA Champions League, diferencat do të jenë edhe më të vogla por rreziku i përballjeve të rëndësishme është konstant, sidomos pas rrëzimit të PSG në vazon e dytë. Skuadra e Messit, Mbappe dhe Neymar është kundërshtari që të gjithë nga vazoja e parë i tremben më shumë por nuk mund të jenë jashtë vëmendjes as Liverpool, Inter apo Milan e Dortmund.
Minimalisht me 6 nga 8 kundërshtarët e mundshëm të vazos së parë të shortuar me PSG do të ishte një finale e parakohshme. Francezët evitojnë Benfica-n por jo Bayern Munchen, Manchester City, Real Madrid, Chelsean apo Napolin ndërsa i njëjti diskutim është edhe për Liverpoolin. “The Reds” mund të kenë mundësi më të mëdha për t’u shortuar me kundërshtarë më pak të frikshëm për faktin se evitojnë Man. City, Chelsea dhe Napolin.
Më pak i favorizuar duket Real Madrid që në asnjë rast nuk eviton dot asnjë skuadër të fortë të vazos së dytë. Goglat mund ta vendosin skuadrën kampione të Europës përballë PSG, Liverpool, Borussia Dortmund. Milan apo Inter.
