Vendimi për targat, Veliu: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk mund të cënohen nga një mospëlqim
Në Kosovë ka nisur të zbatohet vendimi i Qeverisë për targat ‘ilegale' serbe të automjeteve, megjithë thirrjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që ky vendim të shtyhet edhe për 10 muaj.
Në tre javët e para do të vlejë masa e "qortimit”, për të kaluar më vonë në fazën e dytë të dënimeve, ndërsa faza e tretë parashikon legalizimin e plotë të targave ilegale.
Analisti, Lulzim Veliu, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se vendimi i Kurtit është shumë i drejtë porse do të ishte mirë që të kishte marrë pëlqimin e SHBA.
Veliu: Nga 2017 kur është arritur marrëveshja për targat me Serbinë kemi të bëjmë me shtyrje të njëpasnjëshme.Vendim i i Kurtit dhe qeverisë së Kosovës është shumë i drejtë, legjitim dhe parimor. Duhet të jetë një shkëndijë e mirë për ndërgjegjen e komunitetit europian dhe amerikan çfarë kanë bërë me targat dhe marrëveshjet e tjera. Por nga ana tjetër në momentin në të cilin është situata në Europë, lufta Ukrainë-Rusi, për hir të kësaj Kurti dhe qeveria e Kosovës është dashur të ketë marrë një dakordësim sëpaku me partnerin strategjik, SHBA.
Përkundër kritikave, Veliu e përjashton mundësinë që vendimi të sjellë një ftohje të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.
Veliu: Jemi në një fazë përfundimtare ku shtetet e BE dhe posaçërisht SHBA janë të interesuara që problemet mes Kosovës dhe Serbisë të marrin fund, mundësisht me një njohje reciproke. Kemi një plan franko-gjerman që i afron palët te një marrëveshje. Megjithatë edhe vendimi i Kurtit ishte i mirëmenduar dhe jam i bindur afatet e Kurtit nuk lidhen vetëm me targat por me gjithë procesin negociator mes dy vendeve. Në asnjë mënyrë nuk mendoj se një gjë e tillë mund të rrezikojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA. Marrëdhëniet tona kanë një histori të gjatë që nuk mund të cënohen nga një mosmarrëveshje apo mospëlqim në një situatë të vështirë në të cilën është politika gjeostrategjike me luftën Rusi-Ukrainë.
Duke folur për planin franko-gjerman, ai thotë se informacionet janë të pakta porse e sigurt është se nuk bëhet fjalë për njoihje të menjëhershme të Kosovës nga Serbia.
Veliu: Nuk bëhet fjalë për njohje të menjëhershme të Kosovës nga Serbia. Do ti hapte Kosovës rrugën për integrimet euroatlantike, ndoshta dhe për anëtarësimin në OKB.
Analisti Veliu thotë se "procesi i dialogut Prishtinë-Beograd është në fazën finale ku do të vendoset për një marrëveshje mes dy vendeve, por se cila do të jetë ajo ne mundet vetëm të spekulojmë".
